Kryeministri Edi Rama ka ndarë një qëndrim mbi drejtësinë, duke postuar fjalimin e ish-prokurorit federal Robert H. Xheksonit.
Ndonëse mes rreshtave kryeministri Rama nuk e përmend çështjen e Belinda Ballukut, duket se qëndrimi i tij vjen në vazhdë të vendimit të GJKKO-së pasi pezulloi zv.kryeministren nga detyra.
Rama i referohet një fjalim të ish-prokurorit amerikan në vitin 1940, duke thënë se edhe në ditët e sotme mbetet ende udhërrëfyes për ata që besojnë se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme, e fortë por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.
“Paralajmërimet e kryeprokurorit legjendar të Amerikës, njeriut që shkroi etikën moderne të prokurorit demokratik, tingëllojnë sot si të shkruara për ne”, shkruan Rama, duke theksuar se Xheksoni i “mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.”












