Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të kalaur për gjykim çështjen e Belinda Ballukut dhe njëkohësisht duke rrëzuar pezullimin e GJKKO-së.
Ndër të tjera, Rama foli dhe për kërkesat e gjyqtarëve për të rritur pagat e tyre.
“Kushtetuese hoqi pezullimin e zv. Kryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit. Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht. Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatesit për të rritur pagat e tyre.
Po, po e dëgjuat mire, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre. Jo për herë të parë, fatkeqesisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjeshtë të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqiperisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtesisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për SPAK-un. Unë do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia”, tha Rama.












