Në konferencën e mbajtur para familjarëve të viktimave të 21 Janarit, kryeministri Edi Rama drejtoi gishtin nga SPAK, kur tha se për vite me radhë, “bëri sikur kjo çështje nuk ekziston”.
Teksa përsëriti se drejtësia ka munguar për atë që është cilësuar si krim shtetëror, Rama tha se prokurorët e SPAK-ut, paguhen më shumë sesa vetë Kryeministri dhe Presidenti.
“Në emër të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetja dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin e gabimeve të tyre, ndonjëherë shqetësuese. Pas disa orësh që turma e zvogëluar nisi të shpërndahej, tytat e pushkëve u drejtuan drejt trupave të protestuesve dhe morën 4 jetë të pafajshme, duke plagosur edhe protestues të tjerë. Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila tregoi se të vriste me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që urdhëruan dhe kryen krimin shtetëror.
Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe më tregon sesa më i madh bëhet në çdo 21 janar, zhgënjimi juaj të dashur familjarë dhe pengu juaj për mosardhjen e drejtësisë. 15 vite pa drejtësi. Për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth dhe poshtërim. Atyre që janë nën dhe, nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër, as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë të individëve të veshur me pushtet politik, nuk ka mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë së 21 janarit.
Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i gjykatës së Strasburgut, që prokurorët special t’ja kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë. Në emër të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetja dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin e gabimeve të tyre, ndonjëherë shqetësuese, si gabimet e një institucioni të ri.
Halli është sesa herë vjen kjo ditë tragjike. Vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe shumëkujt në këtë vend që ndihet i tradhtuar dhe i përdorur në besimin e vet te drejtësia e re. Unë ndihem i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë kur shoh sesi kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 janari erdhi me padrejtësinë mbi shpinë”, u shpreh Rama./ Top Channel












