Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar pas aksidentit tragjik ku aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Nexho Shabani u përplas nga një automjet teksa ishte duke kaluar me biçikletën e tij.
Menjëherë Shabani u dërgua me urgjencë në spital, ndërkohë që së fundmi kryebashkiaku bën me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Beci shkruan se aktori, shkodrani i mirë, njeriu popullor dhe ashtu si ai e quan “Nexhoja i tavolinave” në këto orë kritike për të ka nevojë për lutjet e të gjithë qytetarëve të Shkodrës, por jo vetëm.
“Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona. Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht. Le t’i jemi pranë me mendim të mirë dhe shpresë”, shkruan Beci.












