Kryeministri Edi Rama kritikoi disa kryetarë bashkie që tha se i përkasin aksit Tiranë-Korçë, për të cilët ka shqetësime nga komuniteti pasi nuk qëndrojnë në qytetet e tyre, por janë gjatë gjithë javës në Tiranë.
Kreu i qeverisë kërkoi që kjo praktikë të marrë fund, duke thënë se herës tjetër mund t’i përmendë me emër.
“Ju falënderoj për vëmendjen, me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë, kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. S’janë të gjithë, por janë disa. Ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor, që vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës, edhe pse shtëpinë e ka në Tiranë, është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë, që herën tjetër do dua t’i përmend me emër dhe publikisht, që lënë komunitetin dhe lënë detyrën përpara se të vijë momenti zyrtar i pushimit, dhe vijnë në Tiranë. Kjo s’është e justifikueshme dhe s’është e pranueshme. Ky shqetësim më ka ardhur në mënyrë të përsëritur prej disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në Juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë kryesisht”, tha Rama.
Deklaratat e Ramës u bënë gjatë një aktiviteti që kishte në fokus rritjen e standardeve në territor dhe qytete më të rregullta në rrugën drejt Bashkimit Europian.












