Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një video-mesazhi aktivistit Florjan Haçkaj, duke mohuar që t’i këtë përdorur për shqiptarët fjalët: “F*ck You!” gjatë intervistës për “Financial Times”.
Rama ka shpjeguar kontekstin e fjalës së përdorur, që sipas kryeministrit ishte për ata që e kanë etiketuar si “kumbari”, duke e baltosur pa prova.
“Më çuan videon e këtij djalit dhe, përpara se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Pyeta për të. Demokrat 24 karat, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjellë. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari më ka pyetur si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt fjalën që meriton kush në fakt më akuzon papushim, vite e vite, dhe s’ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur dhe varrosur, por kurrë asnjë provë.Nga një orë bisedë e lirë, ai zgjodhi pikërisht atë fjali. Po unë nuk jam pishman”, shprehet Rama.
Aktivisti Haçkaj nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” reagoi pak ditë më parë me një gjuhë të ashpër e ofenduese ndaj kryeministrit, duke u shprehur se “nuk duhet ta kruajë me popullin” dhe duke i kërkuar të largohej nga detyra një orë e më parë. Duke iu përgjigjur kësaj thirrjeje, Rama shprehet se nuk mund të largohet pasi ka kontratë me popullin deri në vitin 2029.
Do japësh dorëheqjen? “Jo, jo. Jo sepse unë jam i lidhur me një kontratë me tjetër kënd, që quhet populli sovran i Shqipërisë, me të cilin kam firmosur deri në 2029-ën dhe dua t’u siguroj të gjithë atyre që janë sinqerisht e nuk kane parti apo para nga pas për të yshtyr këtë protestë se unë nuk i ngatërroj shqetësimet, hallet e zemërimin e tyre me këto personazhe të padinjitetshme që turpërojnë mexhelisin tonë publik. Por, me të neutralizuar një të keqe shumë të madhe dhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, padiskutim që unë do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve, të njerëzve pavarësisht nga çfarë kahje vijnë që duan të dëgjohen dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga e gjithë kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj unë se duhen adresuar ato që së brendshmi, sinqerisht i thërrasin njerëzit drejt protestës, drejt nevojës për tu dëgjuar dhe po ashtu drejt admirimit për ata që protestojnë edhe në emër të tyre pikërisht për arsye të kësaj nevoje”, tha Rama.












