Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e ekonomisë përtej parashikimeve ka krijuar hapësirë fiskale për një paketë të re masash sociale dhe financiare, të miratuara përmes Aktit Normativ të buxhetit 2026.
Sipas tij, të ardhurat shtesë në ekonomi kanë mundësuar shpërndarjen e një bonusi të ri për pensionistët, të cilin e cilësoi si pjesë të politikës së ndarjes së “tepricës buxhetore” me shtresat në nevojë.
Rama theksoi gjithashtu se një pjesë e të ardhurave të krijuara nga zhvillimet e jashtme ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, është kanalizuar drejtpërdrejt për mbështetjen e pensionistëve.
Në paketën e re parashikohet edhe një fond shtesë prej 15 milionë eurosh për trajtimin me medikamente të pacientëve me sëmundje onkologjike, si dhe rritje pagash për mjekët e urgjencës.
Masat përfshijnë gjithashtu rritje të mbështetjes financiare për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe mbështetje për kujdestarët e tyre.
Në aspektin ekonomik, qeveria njoftoi edhe forcimin e garancisë sovrane për programet e financimit të bizneseve, si dhe masa që synojnë zhvillimin rural dhe urban.
Rama i paraqiti këto ndërhyrje si rezultat të performancës ekonomike më të mirë se parashikimet, duke theksuar se fondet shtesë po shpërndahen në sektorët socialë dhe shëndetësorë me prioritet.












