Familjet Xhepa dhe Hasko kanë hapur dyert e mortit pas humbjes tragjike të dy motrave, Florie Xhepa, 53 vjeçe, dhe Mirela Hasko, 50 vjeç.
Dy motrat humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në fshatin Delisufaj të Lushnjës. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit, kur automjeti me të cilin udhëtonin dy motrat, në dalje të fshatit Delisufaj, doli nga ura dhe përfundoi në kanalin vaditës.
Dy gratë nuk mundën të dilnin nga automjeti dhe humbën jetën si pasojë e mbytjes, ndërsa trupat e tyre u nxorën nga vendngjarja dhe u transportuan drejt morgut të Lushnjës, shkruan Top Channel.
Familja Xhepa, e cila më herët ka banuar në Langhirano të Italisë dhe aktualisht jeton në Casalmaggiore, në provincën e Cremonës, ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit të Flories do të zhvillohet në Itali në ditët e ardhshme, ndërsa pas saj mbetet një familje e pikëlluar dhe dy fëmijët e saj, Marigleni, 28 vjeç, dhe Saba, 24 vjeçe, të cilët përballen me humbjen e nënës së tyre.












