Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e ndonjë konference, ndërsa tha se ka një vlerësim pozitiv për ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.
Berisha u pyet lidhur me qëndrimin e tij ndaj ambasadorit të ri të SHBA-ve dhe nëse planifikon të udhëtojë së shpejti drejt Shteteve të Bashkuara.
“Me ato që unë kam lexuar, kam mendim shumë pozitiv per ambasadorin. Një njeri me një eksperiencë të gjerë, pra mendimi im është tërësisht pozitiv. Natyrisht, siç kam thënë unë do të shkoj në SHBA më së shumti me rastin e ndonjë konference dhe do u njoftoj”, u përgjigj Berisha.
● A ju hoq “non grata” Sali Berishës?
Vlen të theksojmë se deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë mbi ndonjë ndryshim të statusit të tij “non grata” për Sali Berishën.
Në një tjetër linjë raportimesh burime pretendojnë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një heqje të plotë të statusit “non grata”, por për një leje të përkohshme udhëtimi në SHBA, për arsye pune ose shëndetësore ndaj liderit të opozitës shqiptare.












