Deputeti socialist, i cili shpesh herë është edhe një kritik i “të vetëve” ka rikthyer në vëmendje dëshirën dhe ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Përmes një video të publikuar në rrjetet e tij sociale, Erion Braçe u është referuar “emrave” që po qarkullojnë lart e poshtë se personave të caktuar u është dhënë mbështetje dhe janë nxitur të nisin punën me synimin për t’u përfshirë në garë.
“Zgjodha që të them disa gjëra këtu nga Kombinati. Më thonë që i është dhënë fisto filanit për të qenë ai kryetari i Bashkisë. i është dhënë fistekes që ti do bëhesh, i është thënë të tjerëve që punoni se ti e ke mundësinë për tu bërë dhe ti do të bëhesh. Por shumë mirë. Nuk ka gjë më të mirë se PS të ketë alternative për kandiatin për kryear Bashkie.”, dëgjohet të thotë Braçe ndër të tjera, duke theksuar më tej se ai do të jetë në garë dhe se nuk ka pritur një sinjal nga strukturat e partisë për të filluar punën.
Pasi ashtu si dhe ai e thotë qartë, prej kohësh po punon në terren, duke zhvilluar takime me qytetarët dhe duke ndjekur nga afër problematikat e kryeqytetit, nga lagjet dhe rrugët deri te shërbimet publike.
“Një prej tyre jam dhe unë dhe nuk kam pritur të më thotë dikush fillo puno. Po mundohem të kuptoj qytetin dhe të them çfarë unë mendoj për qytetin dhe çfarë duhet bërë që ky qytet të rikthehet i jetueshëm në maksimumin e tij. Ashtu si njerëzit e duan, të pastër, të gjelbër, me shërbime”, thotë ai nga Kombinati.
Deputeti socialist kërkon gjithashtu një proces më gjithëpërfshirës brenda PS-së. Sipas tij, socialistët duhet të kenë rol në përzgjedhjen e kandidatit dhe jo thjesht të përballen me një emër të vendosur më herët.












