Kjo e enjte i ka gjetur gjimnazet e Kamzës të boshatisura pasi nxënësit janë bërë bashkë dhe janë nisur në drejtim të Tiranës për të përkrahur protestën studentore që sot hyn në ditën e saj të tretë dhe do të mbahet para Kuvendit.
Një orë para se të mbahej seanca e radhës plenare, deputetët e PD-së janë parë duke dalë nga Kuvendit. Demokratët para mediave kanë kyçur gojën, ndërsa bëhet me dije se punimet e sotme të Kuvendit janë anuluar.
Ndryshe nga dje, ku të vetmit që pezulluan mësimin ishin nxënësit e gjimnazit Partizani, sot bojkoti ka marrë përmasa më të mëdha duke prekur gjimnaze të tjera, madje dhe përtej Tiranës, në Korçë.
Teksa studentë e nxënës janë nisur në drejtim të Kuvendit, deri në këto momente që raportojmë rreth Parlamentit nuk është vendosur asnjë gardh metelik, bëhet me dije se në afërsi të Kuvendit ndodhet një autobot me ujë dhe efektivë në terren.
Deri në këto momente nuk raportohet për pezullim të qarkullimit të makinave, pasi rrugët nuk janë bllokuar.












