Meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, parashikoi se reshjet do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës, ndërsa më të dendura pritet të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore të vendit.
Sipas Porjas, ditët më problematike për sa i përket reshjeve do të jenë e mërkura dhe e premtja, kur në disa zona priten rrebeshe me intensitet mesatar dhe lokalisht të lartë.
Meteorologia paralajmëroi se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve në intervale të shkurtra kohore, zonat veriore mund të përballen edhe me përmbytje të përkohshme.
“Rrezikohen zonat veriore, sepse të gjitha reshjet janë të fokusuara kryesisht në veri dhe veriperëndim. Do të ketë momente kur, për 40 minuta apo një orë, reshjet mund të kenë intensitet të lartë. Kur kemi rrebeshe të tilla në një kohë të shkurtër, patjetër që presim edhe përmbytje, të cilat do të jenë të përkohshme dhe kryesisht në veri”, u shpreh Porja.
Ajo përmendi si zona që mund të preken Shkodrën, Lezhën, Pukën, Kukësin, zonat e izoluara të Bajram Currit dhe territoret në veri të Shkodrës. Sipas saj, nuk përjashtohen probleme edhe në zona urbane apo lagje të caktuara të këtyre qyteteve, ndërsa qendra dhe jugu i vendit pritet të kenë më pak reshje.
Sa i përket temperaturave, Porja theksoi se ato do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë të vitit. Pas vlerës prej 23 gradësh Celsius që pritet sot, termometri do të ngjitet në 24-25 gradë gjatë pjesës tjetër të javës, me luhatje të lehta nga njëra ditë në tjetrën.
Meteorologia bëri të ditur gjithashtu se era do të jetë një tjetër element problematik, veçanërisht të mërkurën dhe të premten. Ditën e mërkurë, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 70 kilometra në orë, duke shkaktuar dallgëzim të lartë në brigjet detare, kryesisht në jugperëndim të Shqipërisë.












