Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të vendosë nesër për fatin e Erion Veliajt ndërsa Partia Socialiste ka gati Ogerta Manastirliun si kandidate për bashkinë e kryeqytetit.
Opozita, vijon të jetë ende e paqartë ndërsa kryedemokrati Sali Berisha tha se kanë në mendje disa emra të shkëlqyer.
I shumëpërfolur është edhe mjeku Ilir Alimehmeti i cili i pyetur nëse do të kandidojë për Bashkinë Tiranë, tha se si fillim kanë si qëllim shkarkimin e kryebashkiakut aktual.
Alimehmeti tha se nuk synon projekte afatshkurtra dhe të momentit ndërsa theksoi se do të mbështesë kandidatin e PD-së.
“Jemi akoma të fokusuar te shkarkimi i Erion Veliajt. Nuk ndodh nesër. Çojmë propozim në Këshillin e Ministrave. Ka dhe Gjykatë Kushtetuese. Nuk e di a do t’i drejtohet. E sotmja, duket si shashkë nga Veliaj. I çon shkresë sekretariatit të Këshillit Bashkiak por nuk dërgon shkresë atje ku duhet të marrë leje. Nëse ai vërtetë do donte të vinte, do ndiqte procedurën. Ligji parashikon ankimim. Ka një farë vonese nga Partia Demokratike. Ishte e qartë që do vinte kjo ditë. Kemi dy krahë pune. Një krah pune për të demontuar Veliajn, me shkresa, çuarje para drejtësisë. Protesta para bashkisë. Brenda këshillit me qëndresë. Jam lojtar grupi. Jam për një platformë që mund të zbatohet që do kohën e vet dhe besoj në projekte politike afatgjata dhe jo afatshkurtra dhe të momentit. Konkurroj për projekte ku mund të shkoj me grup dhe platformë. Momente ku nuk mund të shkosh me grup dhe platformë, unë jam kryetar i këshilltarëve në Bashkinë Tiranë dhe vazhdoj do kem punën aty. Do mbështes kandidatin e PD kushdo që të jetë.“-tha Alimehmeti.












