Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Arben Malaj, ka bërë një analizë të gjerë mbi fatin e liderëve historikë dhe të partive politike, duke sjellë shembuj nga politika ndërkombëtare.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Malaj tha se rrëzimi i figurave të mëdha nuk vjen nga kundërshtarët e jashtëm, por nga mbështetësit e tyre brenda partive. Malaj paralajmëroi se edhe Partia Socialiste rrezikon të ketë të njëjtin fat si liderët e huaj, nëse pushteti i tepërt dhe i zgjatur nuk kontrollohet.
“Kush i rrëzoi këta liderë të mëdhenj historikë? Ata u rrëzuan nga mbështetësit e tyre brenda partive. Colin Poëell u godit nga vendimet e brendshme të administratës Bush dhe informacionet e pasakta për Irakun. Margaret Thatcher u rrëzua nga konservatorët e saj, pasi humbi mbështetjen e brendshme pas tre mandateve. Angela Merkel u largua si pasojë e konsumimit të gjatë të pushtetit dhe presionit nga brenda CDU-së. Tony Blair u detyrua të largohej sepse nuk mbajti një premtim ndaj ish-ministrit të tij të financave, Gordon Broën, i cili priste prej më shumë se një dekade të merrte drejtimin e qeverisë. Babëzia dhe korrupsioni do ta gërryejnë nga brenda, duke e çuar në pikën më të ulët. Kjo, sipas tij, do të jetë përgjegjësi e atyre që janë besnikë ndaj kryetarit, por armiq ndaj Shqipërisë.”- tha ai.
Arben Malaj është se rotacionet politike në Shqipëri dhe në rajon nuk kanë ndodhur sepse opozita është forcuar, por sepse partitë në pushtet janë çarë nga brenda.
“Nga përvoja ime si vëzhgues i zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan, rotacionet kanë ndodhur kur është çarë partia në pushtet, sepse ajo ka pasur një pushtet absolut, deri edhe kriminal, për të kërkuar mandate të përsëritura. Nuk janë rrëzuar thjesht nga forcimi i opozitës, por nga krizat e brendshme. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri: u ça PS-ja dhe erdhi PD-ja në pushtet, u ça PD-ja dhe erdhi PS-ja, më pas iku Meta, ra një shumicë dhe Edi Rama mori pushtetin.”- tha Malaj
Arben Malaj e sheh Spiropalin si një figurë që ka potencial për të krijuar një alternativë të re brenda së majtës shqiptare, por sfida e saj është të mos presë përjashtimin nga Rama. Ai paralajmëron se Rama nuk do ta nxitojë ta përjashtojë, pikërisht për të mos i dhënë kohë të organizohet, ndaj përgjegjësia bie mbi vetë Spiropalin, të marrë vendimin për t’u distancuar dhe për të ndërtuar një profil të pavarur politik.
“Spiropali ka fuqinë dhe peshën. Para së gjithash, kam një këshillë publike për të: Rama nuk do të nxitojë ta përjashtojë. Jo sepse i prishet imazhi, ai ka përjashtuar edhe figura me më shumë impakt pozitiv publik në të kaluarën, por sepse nuk do t’i lërë kohë që të organizohet. Këtu qëndron sfida e Spiropalit.
Do të dalë përballë siç ndodhi në Hungari me liderin e ri që u shkëput nga partia dhe i doli përballë, apo do të presë momentin? Ka dy vite kohë për të konturuar liderët e rinj. Unë kam zgjedhur rrugëtimin tim politik si kandidat i pavarur në Bashkinë e Vlorës. Besoj se e ardhmja nuk duhet të vendoset nga çfarë do të bëjë Rama, por nga qartësia, vendosmëria dhe përkushtimi i saj për të krijuar një të majtë të re në politikën shqiptare dhe përballë keqqeverisjes së Rilindjes, duke ndërtuar një alternativë për vitin 2029. Nëse vonohet, patjetër që do të ketë kosto. Prandaj e rekomandoj të mos presë përjashtimin, por të vetë-distancohet, të dalë nga grupi parlamentar dhe të nisë punën e lodhshme e të vështirë për të konturuar diçka që krijon shpresë.”– tha Malaj












