Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka reaguar në lidhje me nisjen e hetimeve për disa mjekë të spitalit Onkologjik, ku mjekët nuk u ofronin pacientëve me kancer shërbimin në QSUT por i drejtonin tek privati.
Koçiu i konsideroi të turpshme veprimet e bluzave të bardha të përshirë në këtë skandal. Ministrja gjithashtu paralajmëroi se do të diskutohen ndryshimet ligjore duke ashpërsuar sanksionet ndaj mjekëve që siç tha ajo e trajton jetën e njerëzve si “mall shumice në tregun e lirë”.
“Dua ta theksoj të qartë që korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interes publikut dhe kujtdo që i shkon mendja të bëjë veprime të tilla të turpshme, të cilat nuk i përkasin figurës së mjekut dhe infermierit. Kemi nisur një hetim administrativ, krahas hetimit të Prokurorisë që e inkurajoj ti shkojë deri në fund dhe të ndëshkojë në mënyrë shembullore të gjithë ata që kanë kryer procedura që cenojnë figurën e mjekut.
Është e patolerueshme që mjeku figura më e lartë që duhet ti shërbejë njerëzit t’i trajtojë ata si një mall në tregun e shumicë, për këtë fakt do të duam që të sjellim në një dimension tjetër të ushtrimit të detyrës mjekut e infermierit dhe pikërisht për këtë do të iniciojmë ndryshimet e nevojshëm ligjore që do t’ia dërgojmë kuvendit, për të bërë amendime në ligjin për urdhrin e mjekut për të vendosur sanksione që ndëshkojnë këto që trajtojnë jetën e njerëzve si mall shumice në tregun e lirë”, tha ministrja.












