Sindikata e Gardës së Republikës së Shqipërisë ripërsërit thirrjen për qeverinë shqiptare, që të kthejë sytë nga personeli që i shoqëron dhe i eskorton në çdo aktivitet në detyrë, duke kërkuar rritje të pagave.
“… i rikujtojmë Sektorit të Financës dhe strukturave përgjegjëse të paraqesin urgjentisht pranë “Ministrisë së Financës” programin e rritjes së pagave për punonjësit e Gardës të detajuara”, thuhet në reagim.
Në këtë kohë të miratimit të Paketës Fiskale 2027 dhe premtimit për rritje të pagave të policëve, Sindikata e Gardës së Republikës thotë se ata nuk mund të presin më sepse prej vitit 2001 nuk vlerësohen siç duhet.
“Ajo që historikisht ka qenë një diferencë meritore prej +15,000 lekësh ndaj institucioneve tjera të sigurisë sot është shkrirë, duke cënuar dinjitetin ekonomik të punonjësve tanë. Pse kjo rritje është e padiskutueshme? Profesioni ynë është gjithmonë me “vizë të kuqe”: Presioni, gatishmëria dhe vështirësia në shërbimin tonë janë maksimale në çdo sekondë”, vijon reagimi.
Garda e Republikës thekson se në profesionin e tyre nuk duhet dhe nuk ka kurrë “herë të parë” kur bëhet fjalë për cënimin apo rrezikimin e Personaliteteve të Lara Shtetërore, vendas apo të huaj, sepse siguria e tyre është imazhi i vetë Shtetit Shqiptar.
“Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet. Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse”, mbyllet thirrja e Sindikatës.












