Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se ka paditur në Gjykatë për “kallëzim të rremë” Gazment Bardhin i cili akuzonte Olsi Ramën si të përfshirë në dosjen “Xibraka”.
Tashmë që SPAK pohoi se nuk ka prova që implikojnë vëllain e kryeministrit, Rama ka paralajmëruar një “Babale të dytë”, ashtu siç u dënua Ervin Salianji me burg për shpikjet e fabrikuara.
“11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim. Por tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë”, tha Rama.