Në një kohë kur mazhoranca ka nisur organizimin për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, Partia Demokratike pritet të intensifikojë përgatitjet për garën në Bashkinë e Tiranës.
Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialaiste, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Pogradec u ka përcjellë drejtuesve politikë porosi të qarta për angazhimin dhe organizimin në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, edhe opozita duket se po hyn në fazën e përgatitjeve për betejën elektorale. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi këtë të martë se selia blu do të nisë së shpejti punën për përcaktimin e kandidaturës për Bashkinë e Tiranës.
Berisha bëri të ditur se ende nuk ka një vendim për mënyrën se si do të përzgjidhet kandidati, duke lënë të hapur edhe mundësinë e zhvillimit të primareve.
Në këtë kuadër emri i mjekut Ilir Alimehmeti është rikthyer në qendër të diskutimeve si një prej figurave që mund të përfaqësojë të djathtën në garën për kryeqytetin. Berisha e cilësoi Alimehmetin një personalitet të rëndësishëm të PD-së dhe të Tiranës, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar do të merret në javët në vijim.
“PD në një kohë të afërt do të nisë punën për garën elektorale në Tiranë. Po punohet dhe për Primaret. Nuk kemi vendim për të përjashtuar primarët. Gjithçka do të vendoset në javët e ardhshme për kandidatin e PD për bashkinë e Tiranës.”, tha ai.
Kjo lëvizje vjen pas një tjetër emri që kishte tërhequr vëmendjen në kampin opozitar. Aktori Florjan Binaj kishte shprehur interesin për të garuar për Bashkinë e Tiranës, ndërsa vetë Berisha kishte deklaruar më herët mbështetjen për të.
Sakaq, Berisha u pyet nga gazetarët edhe për mundësinë që deputeti socialist Erion Braçe të jetë një prej emrave të mazhorancës në garën për Bashkinë e Tiranës. Mirëpo, sipas Berishës, Tirana nuk do tsa mbështesë të majtën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme, duke shprehur bindjen se qytetarët e kryeqytetit do të zgjedhin një alternativë tjetër politike.
“Po pse do të komentoj unë kur ata shkojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Se a nuk u shpall njëherë kjo Korba e Covid-it si kandidate? U shpall zyrtarisht nga Rama. Tani, e kupton që kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan. Nuk ke ç’i bën, le të vazhdojnë, po Tirana nuk voton më partinë e krimit në mënyrë përfundimtare. Për këtë u siguroj”, tha Berisha.












