Më 16 tetor, Tirana do të mirëpresë Samitin e Procesit të Berlinit, i pari që zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.
Teksa na ndajnë vetëm dy ditë nga Samiti, kreu i qeverisë ka zbuluar pasditen e sotme më shumë detaje, lidhur me atë që Shqipëria pritet të përfitojë nga ky Samit.
Rama tha ndër të tjera, se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi që më 16 tetor të kërkojnë më shumë financim nga Bashkimi Europian në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bllok.
Edi Rama: “Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të prezantojë planin e ri të rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor, si rezultat i përpjekjeve të gjata dhe diskutimeve thelbësore që kemi pasur me Brukselin për nevojën që të shkëputemi disi nga metoda tradicionale si i qasemi procesit të anëtarësimit. Deri më tani, procesi tradicional ka qenë i tillë: nëse nis bisedimet apo merr statusin e vendit kandidat, ke qasje në disa programe të vogla. Për të pasur qasje në programe më të mëdha, duhet të jesh anëtar. Nuk mund të vijojë më kështu. Në njërën anë, duhet më shumë mbështetje financiare, në anën tjetër duhet qasje në hapësirën e tregut të unifikuar, që do të na ndihmonte shumë. Kjo do të jetë tema kryesore e asaj dite dhe mendoj se ky do të jetë një samit ku arritjet do të jenë shumë të rëndësishme“












