Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me INSTAT për regjistrimin e të dhënave të popullsisë dhe banesave.
Duke nisur nga data 18 shtator, studentë, ish-anketues do të trokasin në çdo shtëpi për regjistrimin e qytetarëve dhe të banesave.
Sipas Ramës, INSTAT me mjetet më të mira teknologjike dhe një numër të madh ekspertësh do të realizojë punën plot 6 javë duke mbledhur të dhënat në terren.
“Është një ushtrim i vështirë sepse duhet trokitur derë më derë sepse duhen mbledhur të gjitha të dhënat që janë nevojë absolute për shumë arsye, pikë së pari për të identifikuar sa shqiptarë jetojnë në këtë vend sot. INSTAT ka krijuar një armatë njerëzish për të lëvizur në terren për 6 javë, për të përdorur tabletat për regjistrimin dhe për të këmbëngulur që të dhënat të merren.
Ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve, duhet ta kuptojnë se censusi ka edhe një aspekt patriotik. Shqiptarët të japin të dhënat për qëndrimin në Shqipëri dhe pastaj për banesat e tyre. Mirëpritja e armatës së INTSTAT dhe 10 minuta kohë për plotësimin e të dhënave, është detyrim patriotik”, tha Rama.












