Kryeministri Edi Rama konfirmoi lajmin e mirë se në Tuneli i Murrizit do të hapet nesër më 14 mars.
Rama iu përgjigj komenteve lidhur me kostot dhe cilësitë e kësaj vepre infrastrukturore duke theksuar se rruga e Arbrit është ndërtuar me PPP ndaj shpenzimet në buxhetin e shtetit janë minimale.
Kreu i qeverisë tha se sa të jetë në pushtet Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë.
“Nesër Tuneli i Murrizit do të hapet, përkon me ditën e verës. Nga Elbasani në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë. Ky është tuneli i Murrizit, për të gjithë popullin e Dibrës që mezi e kanë pritur dhe që mendojnë se e plasin syrin e keq. Syri i keq më në fund plasi, se te ai tunel na u mblodh gjithë energjia negative. Kështu që tuneli i Murrizit hapet në 14 Mars, dhe përkon me Ditën e Verës. Ky tunel është i ndërtuar me PPP, e gjithë rruga e Arbrit. I ka dalë shtetit dhe taksapaguesve shumë më lirë se rrugët që bëheshin sidomos dikur me tendera që ktheheshin në histori abuzimi duke shtuar e shtuar fonde për punime të paparashikuara. Rruga e Arbrit dhe Tuneli sa të jem unë këtu s’do ketë tarifë, sa të jem unë. Më mbrapa shihni e bëni“, tha Rama.