Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar figurën e Benet Becit, si një kandidat ideal të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës.
Nga Shkodra, ku mbajti fjalimin e përmbylljes së fushatës në këtë qytet, Rama u shpreh se të djathtët duhet ta shohin se sa xheloz dhe i shqetësuar është Sali Berisha, pasi Beci, dikur me ta, tanimë bën pjesë në Partinë Socialiste. Rama nënvizoi se Beci kandidon për PS-në, për shkak të vizionit që kjo forcë politike ka për Shkodrën.
“E keni parë sa xheloz është bërë Berishq për Benetin, sikur i kemi marrë të dashurën. Edhe ishte mërzitur shumë, Beneti më tha, ishte shqetësuar shumë doktori. I thashë, mua ma thua këtë? Unë kam një jetë që punoj për të shqetësuar doktorin, çfarë problemi kam unë me këtë? Më thotë që, Benet pse ike, diçka ka ndodhur, çfare ke bërë Benet, ku të kanë kapur? I thashë, thuaji që të ka kapur Shkodra, nuk të ka kapur njeri”, tha Rama.












