Orë vendimtare për Partinë Socialiste pasi pasditen e sotme kryeministri Edi Rama do të “vulosë” listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Në orën 19:00, Rama do të mbledhë kryesinë në selinë rozë, për të kaluar në filtrin e fundit propozimet që iu dorëzuan nga drejtuesit politikë dy ditë më parë.
Të paprekur la drejtuesit politikë, ekipin bërthamë të socialistëve, të cilët do të jenë në listën e mbyllur duke zënë 12 nga 46 vendet e sigurta. Nga 14 drejtuesit e qarqeve, vetëm 12 prej tyre janë deputetë të sigurt të legjislaturës së ardhshme, pasi për kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës, Emirjana Sako dhe Benet Beci, nuk ka asnjë sinjal për përfshirjen në listë, duke vijuar punën si kryetarë bashkie. Ndryshe nga rasti i Ervin Demos, i cili la bashkinë e Beratit e të kandidojë për deputet.
Pezull mbetet vetë pozicioni i Ramës, i cili për herë të parë ngriti pikëpyetje për kandidimin e tij, duke deklaruar se mund të mos jetë në listën e kandidatëve. Mes 34 emrave të figurave të reja që nuk kanë pasur kurrë një mandat deputeti, e që priten në listë të sigurt janë ministra të kabinetit të tij qeveritar: Pirro Vëngu, Adea Pirdeni, Igli Hasani apo Petrit Malaj.
Pjesa tjetër, do të duhet të luftojë në “det të hapur”, e minimalisht nëse socialistët do të ruajnë pozitat e 2021-shit, me 74 mandate, për ta mbeten vetëm 28 vende.
Deputetë si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Pëllumbi apo Xhemal Qefalia që kanë zonat e tyre në qarkun e Tiranës, pritet të jenë në listë të hapur, ashtu si shumë prej kolegëve të tyre në rrethe. Lista do të zyrtarizohet në mbledhjen e kryesisë, e do të bëhet me dije nga secili prej drejtuesve të qarqeve përpara dorëzimit në KQZ.