Sot feston 90-vjetorin një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, Margarita Xhepa.
Aktorja ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj. Talentin për aktrim ia ka zbuluar nëna e saj, qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Gjatë karrierës së saj, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.