Prokuroria e Posaçme ka njoftuar dhe fazën tjetër në të cilën duhet të kalojnë kandidatët të cilët aspirojnë të vendosen në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta, të shtatë kandidatët do t’iu duhet që të paraqiten mëngjesin e 22 korrikut, në orën 09:00, në zyrat qendrore të SPAK ku dhe pritet t’i nënshtrohet provimit të esesë.
Më herët të gjithë kandidatët u paraqitën në ambientet stërvitore të repartit RENEA ku dhe iu nënshtruan fazës së tretë, atij të testimit fizik. Ndër ushtrimet që aspirantët për postin e drejtorit të BKH-së iu nënshtruan ishin: vrapimi, pompat, ushtrime të ndryshme fizike, etj.
Pas kalimit në disa faza testimi dhe vlerësimi, komisioni i ngritur pranë (SPAK) pritet që së shpejti t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur për postin e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, emri i përzgjedhur do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim.












