Kombëtarja shqiptare është mposhtur në transfertë nga Çekia, në sfidën e vlefshme për raundin e 3-të të Nations League.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Epet Arean” të Pragës, përfundoi 2-0 në favor të çekëve. Pas ndeshjes kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj deklaroi se Shqipëria sipas tij kishte shanse për të barazuar apo edhe për të fituar.
“Ata janë të fortë me goditjet standarte. Kështu u bënë golat, me krose dhe pak të thjeshtë. Duhet të kuptojmë gabimet dhe mos i përsërisim më. E kishim rastin tonë, që mund ta barazonin apo ta fitonim ndeshjen. Pastaj pësuam golin e dytë që na preu këmbët. Të gjitha skuadrat tani na marrin seriozisht, jemi skuadër e mirë që provojmë të fitojmë ndeshjen. Çekia e kishte përgatitur ndeshje aq fortë, sikur ne ishim Spanja. Topat e dytë i fituan gjithmonë, një nga motivet që kishin lojën në dorë ishte kjo”, u shpreh Hysaj