Kryeministri Edi Rama ritheksoi qëndrimin e tij për ankimimin e bërë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Rama u shpreh se ankimimi i tij nuk është një betejë politike dhe nuk synon kundër drejtësisë, por është një përpjekje institucionale për të mbrojtur balancën mes pushteteve kushtetuese në Shqipëri.
“Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë. Kjo është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykate, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike. Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash.
Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it. Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë“, tha Rama.












