“Giro D’Italia”, gara e njohur e çiklizmit, do të nisë sezonin e ri në Shqipëri, teksa do të jetë i ndarë në 3 etapa. Edicioni i 108-të zgjat nga 9-21 maji 2025 dhe pritet me padurim nga të apasionuarit e këtij sporti.
Sa i takon detajeve, gara do të mbahet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, sakaq numri në total i pjesëmarrësve, përfshirë garuesit dhe organizatorët, shkon diku tek 3 mijë persona.
“Jam shqiptari më i duhur për të prezantuar këtë ngjarje të madhe sepse i vetmi mjet që di t’i jap është biçikleta. Dhe kjo nuk është shaka, nuk di t’i jap makinës apo helikopterit. I lumtur që për tre ditë do të kemi kaq shumë kampionë që janë miq në vendin tonë, dhe bota do flasë krahas tyre edhe për Shqipërinë që ka një rritje të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Shqipëria është një Itali e vogël, ndërsa tani jemi një Itali në anën tjetër të bregut që pret një event të tillë. Për t’u treguar po ashtu vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë spektatorëve në 200 stacione televizive në gjithë botën që transmetojnë drejtpërdrejtë “Giro d’Italia” ”, tha Rama.