Në çdo 1.5 kilometër rrugë të tre akseve kombëtare që lidhin Tiranën me Vlorën, Rinasin dhe Elbasanin, është vendosur një kamera dixhitale.
Këto kamera të fuqishme janë në funksion 24 orë dhe regjistrojnë çdo shkelje rrugore që kryhet nga përdoruesit e rrugës. Shkeljet filmohen, regjistrohen dhe kalojnë për përpunim në qendrën kombëtare të kontrollit të trafikut.
“Ne kemi tre segmente që janë Tiranë-Elbasan, Vorë-aeroporti “Nënë Tereza”, dhe segmenti më i gjatë Tiranë-Vlorë i cili ka dhe trafikun më të lartë gjatë gjithë, vitit por sidomos gjatë sezonit turistik. Janë vendosur 150 kamera”, tha Marin Bezhani, drejtor i QKMT.
Kamerat janë në gjendje të identifikojnë jo vetëm tipin e automjetit, por edhe targën, drejtuesin si dhe shkeljen përkatëse të kryer prej tij.
“Kur ndodh një shkelje supozohet tejkalim shpejtësie, kapet nga kamerat, analizohet nga operatorë të sallës QKMT dhe dërgohet tek Policia Rrugore. Kjo e fundit verifikon rastin dhe merr masën për gjobën përkatëse”, tha Bezhani.
Brenda vitit nën monitorim me kamera do të përfshihen edhe 5 akse të tjera.












