Në përgjigjen për Gazment Bardhin që kërkoi interpelancë për çështjen “Becchetti”, kryeministri Edi Rama thotë se kjo përballje do të realizohet vetëm pasi të ketë dalë vendimi i SPAK për çështjen e vëllait të tij, Olsi Ramës.
Rama shprehet se nëse hetimet e Prokurorisë së Posaçme e nxjerrin vëllain e tij të përfshirë në trafikun e kokainës siç pretendon Gazment Bardhi, ai do të japë dorëheqjen nga detyra si kryeministër.
“Vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiç fare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë”, shkruan Rama.