Kryeministri, Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të politikanit të njohur kosovar, ish-kryeministrit Bujar Bukoshi.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka përshkruar Bukoshin si një “shqiptar të mirë, politikan të rafinuar dhe njeri të ndjeshëm”.
“U prehsh në paqe! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe Kosovës për humbjen e një shqiptari të mirë, politikani të rafinuar e njeriu të ndjeshëm si Bujar Bukoshi”, shkruan Rama.
Bujar Bukoshi ka qenë një nga figurat kyçe në historinë politike të Kosovës, sidomos gjatë viteve të vështira të rezistencës dhe shtet-formimit. Ai ka mbajtur detyrën e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil gjatë viteve ’90 dhe ka kontribuar në proceset demokratike të vendit pas çlirimit.












