Kryeministri Edi Rama e konsideron skandaloze kërkesën për rritje të pagave të bërë në Gjykatën Kushtetuese nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Rama thotë se kjo është një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës duke ndërhyrë në kompetencat e qeverisë e bërë për herë të dytë, pas asaj të bërë për administratën në vitin 2022.
“Kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro”, shkruan Rama.
Rama thotë se qeveria e pranoi në heshtje rritjen e pagave me vendim gjykate në 2022 për hir të respektit ndaj një vendimi gjyqësor, por kërkon që kjo të mos përsëritet.












