Këtë vit të ri shkollor nxënësit në arsimit bazë dhe atë të mesëm do të përfitojnë libra FALAS. Lajmin e mirë e ka konfirmuar kryeministri Edi Rama i cili deklaron se janë rreth 238 mijë nxënës përfitues nga kjo skemë mbështetëse e qeverisë.
“Nis shpërndarja e librave shkollorë FALAS për më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm, një mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet në prag të vitit të ri shkollor”, shkruan Rama.
Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën 9 që do të pajisen me tekste falas dhe rreth 12,500 nxënës nga klasa e 10 deri në klasën e 12 që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas. Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe.












