Kryeministri Edi Rama i ka quajtur deputetët e opozitës “burra të dehur” që nuk kanë edukatë dhe e kanë kthyer Parlamentin në një “mejhane”. Rama tha se nuk i është shmangur në asnjë moment përballjes me ta, por do shkojë në Kuvend kur ta gjykojë të arsyeshme.
Drejtuesi i emisionit “Opinion” i tregoi kryeministrit pamjet e disa viteve më parë kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe protestonte në Kuvend me bilbila, siç bëjnë demokratët sot.
“Kur fola për ça fola, nuk kisha parasysh fryrjen e bilbilave, se në një moment të caktuar mund t’i frysh dhe bilbilave. Por një vijë të gjatë sjellje që është në nivelin më të ulët të edukatës së çdo familje në Shqipëri që nuk ka mundësi të edukohet. Unë do shkoj në Parlament kur ta shoh unë të arsyeshme”, tha Rama.