Tre efektivë policie kaluan natën në spital për shkak të lëndimeve që moren gjatë protestës së dhunshme të militantëve të opozitës në Tiranë.
Ervin Hoxha deklaron se militantët që kanë hedhur molotov do të arrestohen dhe do të përballen me ligjin.
“Ata të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre. Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital. I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian. Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike. Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh anti-ligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese“, shkruan ministri i Brendshem Ervin Hoxha.