Sasi të mëdha të mollës kanë mbetur pa u shitur në frigoriferët e Korçës.
Sipas grumbulluesve të molles, dy janë faktorët, çmimi i lartë kur ky frut u mblodh dhe hyrja e mollës nga importi, kryesisht nga Serbia, ndërsa qeveria duhet të reagojë urgjentisht për të mbrojtur prodhimin vendas.
“I gjithë problemi është Serbia. Fut mall pa doganë, reference e ulët, çmim i ulët. Ne thjesht po rrimë. Fermerët e Korçës bëjnë sehir kur shesin serbët. Gjithë frigoriferët janë rreth 20 mijë ton mollë stok. Jemi ne fund Janari, presim të mbyllë qeveria Serbinë”,-tha fermeri Etro Çobani.
Ferdinand Ali, një nga fermerët superpotencialë të qarkut të Korçës tregon se zgjidhja e vetme është të rritet referenca në dogana.
“Marrja e masave, këtë e kemi kërkuar në ministri të Bujqësisë, të rriten referencat në doganë e të shitet malli vendas. Paraprakisht është kjo, me mbrapa duhet të ulemi të bëjmë uljen e kostos së prodhimit e fermerët të dalin me tjetër çmim në treg”,-tha fermeri Ferdinand Ali.
Janë rreth 15 mijë ton mollë të pa shitura në qarkun e Korçës ndërkohë që së fundmi është mbajtur e një takim me përfaqësues të ministrisë së bujqësisë dhe fermerëve, me qëllim zgjidhjen e këtij problem.