Në qytetin e Kukësit ka nisur puna për vendosjen e Urës së Madhe mbi Drin. Ura e Madhe e Kukësit, një investim prej 30 mln dollarë, ka një arkitekturë të veçantë prej çeliku me 310 metër gjatësi dhe pritet të plotësojë Rrugën e Kombit.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka ndarë foto nga puna për vendosjen e urës, ndërsa shkruan se ky investim do të sjellë impakt në aspektin ekonomik, por jo vetëm, mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Filloi vendosja (me rrëshqitje) e urës së madhe të Kukësit! Investimi prej 30 milionë dollarë e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën”, shkruan Peleshi.
Ura do të jetë e gatshme në sezonin e ri turistik të kësaj vere dhe është vepra e dytë më e rëndësishme e rrugës së Kombit, pas tunelit të Kalimashit.












