Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka njoftuar se do të depozitojë kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partia Demokratike e Shqipërisë, një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se, pavarësisht asaj që e cilëson si “farsë”, ai nuk do të tërhiqet nga gara.
Ai shton se frymëzohet nga modeli i demokracisë perëndimore dhe synon të kontribuojë në demokratizimin e Partisë Demokratike.
“Dielli lind andej nga perëndon” na mëson Naim Frashëri. Drita, përparimi, qytetërimi dhe demokracia vijnë nga Perëndimi. Prandaj shqiptarët e kanë vendosur që dijen dhe kulturën e marrin nga bota e përparuar.
Modeli i demokracisë perëndimore më frymëzon dhe nuk do të ndalem në luftën për të lënë pas të shkuarën e për ta demokratizuar Partinë Demokratike. Ironi e fortë: në ditën kur shpallet uzurpimi dhe shkallmimi i rregullave demokratike, ndodhem aty ku lindi Magna Carta, në tempullin e demokracisë.
Pavarësisht farsës, nesër depozitoj kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, shkruan Salianji.












