Biznesmeni Gjergj Luca ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar se 4 punonjës dhe kapiteni i anijes së peshkimit të kompanisë së tij ‘Rozafa’, kanë vjedhur një velierë në portin e Limionit.
Gjergj Luca e quajti gënjeshtër të madhe dhe “tallava” e lajmeve të portaleve gjobëvënëse.
“Një sqarim me detyrim. Jo vetëm si qytetar i përgjegjshëm por edhe si president i Korporatës Rozafa e ndjej për detyrë të sqaroj tallavanë e lajmeve të djeshme e të sotme që qarkullojnë në portalet cinike dhe gjobëvënëse… Rozafa dhe gjithë menaxhmenti e punonjësit e saj janë e do të jenë në respekt të ligjit pavarësisht se cila parti është në pushtet! Është një keqkuptim, më thonë mua se Rozafa dhe peshkatarë të Rozafës kanë vjedhur një velierë unë u bëj një pyetje. Sipas legjislacionit dhe kodit detar shqiptar ajo velierë është pronë e kompanisë Rozafa. Peshkatarët e mi kanë vjedhur pronën e kompanisë së tyre. Uroj të sqarohet kjo punë, sepse nuk ka asnjë logjikë kjo që ka ngritur policia kufitare. Mendoj se është një keqkuptim”, tha Luca.