Partia Socialiste ka mbledhur firmat dhe do t’i kërkojë Kuvendit përjashtimin e deputetëve të opozitës që shkaktuan kaos dhe tensione në seancën e djeshme plenare.
Sipas burimeve, i pari për të cilin pritet që të kërkohet përjashtimi me 10 ditë është Ervin Salianji, i cili u shfaq në foltore me dy tymuese, njërën prej të cilave ia mori një gardist, ndërsa deputeti e ndoqi nga pas duke i hedhur një karrige, por që nuk e preku.
Më konkretisht, mazhoranca kërkon marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho. Shkresa është firmosur nga 15 deputetë socialistë. Komisioni i Etikës është zhvendosur online pasi deputeti i PD-së, Flamur Noka shkuli mikrofonat në sallën ku zhvilloheshin mbledhjet.
Që në nisje të seancës së djeshme deputetët e PD-së flaken dhe shkatërruan të gjitha karriget duke i grumbulluar në foltore. Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë jetë parlamentare normale.












