Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar këtë të shtunë në podcast-in e tij 3 gjimnazistë në Shkodër që nderuan veten dhe vendin me një çmim ndërkombëtar për teknologjinë.
“Sot unë kam këtu miq të ftuar, që janë, jo nga inteligjenca artificiale, por nga inteligjenca shkodrane. Janë tre çuna të gjimnazit “28 nëntori” të Shkodrës që kanë surprizuar gjithë Shkodrën dhe jam i bindur që do surprizojnë gjithë Shqipërinë”, i prezantoi Rama.
Ermi, Endri dhe Gerti fituan çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar “INTEL AI” për inteligjencën artificiale. Projekti i tyre ka të bëjë me menaxhimin e trafikut. Ata kanë krijuar një program që sinjalizon për çdo aksident rrugor.
“Sistemi jonë përdor inteligjencën artificiale për të dalluar shkeljet rrugore. Ajo i ruan në database, pastaj më vonë, pas disa vitesh do të jenë ne e-Albania për të bërë një raportim automatik të gjobave”, u shprehën ata.












