Kryeministri Edi Rama komentoi mungesën e ambasadorit rus në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik.
Kryeministri u shpreh se kjo nuk ishte zgjedhja e Shqipërisë, por e vendit të tij. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria mbetet krah Ukrainës ndërsa uroi që viti i ri të sjellë paqe.
“Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh”, tha Rama.