Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik.
Gjithashtu, Rama tha se sekreti i fitoreve në zgjedhje mban emrin dhe meritën e bashkëshortes Linda Ramës.
“Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet lart e poshtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”. Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi! Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes. Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them”, tha Rama.