Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 Majit ditën e sotme.
Socialistët kanë zbritur në sheshin “Skënderbej” për një takim festiv për “Shqipërinë 2030” siç e quan kreu i PS-së, Edi Rama.
Në qendër të sheshit janë vendosur 12 yje të rregulluara në formë rrethore, të cilat simbolizojnë 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian. Përreth yjeve, janë vendosur 5,000 karrige për qytetarët të cilët mbajnë në dorë flamuj kombëtar dhe ata të BE-së.
Ndërkohë në shesh ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, i cili shihet i veshur me kapele, atlete dhe bluzë me yllin e Bashkimit Europian, si dhe me një xhaketë të zezë.
Me mbërritjen e kryeministrit Edi Rama ka nisur edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë, ku fillimisht është nisur me qarkun e Dibrës.
Të gjitha qarqet do të bëjnë nga një prezantim të veçantë, të shoqëruar me këngë e valle tradicionale. Në shesh janë edhe 12 yje, që simbolizojnë 12 yjet e Bashkimit Europian, pasi kryeministri Rama ka si premtim kyç të fushatës anëtarësimin e vendit në BE.












