Kryeministri Edi Rama ka komentuar pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku me vendim të GJKKO-së.
Rama citoi dhe reagimin e Komisionit të Venecias duke thënë se ky vendim i lëshuar nga GJKKO, ka cenuar balancën e pushteteve si dhe ka ndërmarrë përsipër kompetencat e kryeministrit dhe presidentit.
Ndër të tjera, Rama tha se pezullimi nga detyra e Ballukut është “de facto” presion për shkarkimin e saj.
“Një debat i hatashëm ka mbushur boshllëkun e klubeve mediatike dhe pasqyrave sociale pasi një prokuror dhe një gjykatës “kokë më kokë” pezulluan një anëtar të kabinetit qeveritar. Nuk dua të hyj në debat për një absurditet kaq të rrezikshëm sa ky dhe pres me durim që GJK t’i japë drejtim çështjes së kësaj rruge të pashkelur askund në Evropë dhe në botë. Ndaj me u sot se çfarë thonë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane e Strasburgut. Qëndrimi i Venecias është i prerë, gjykatat nuk mund të pezullojnë anëtar të qeverisë, sepse duke bërë këtë cenojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë që një ministër është figurë publike, nëse gjykata e pezullon, praktikisht ndërhyn në punën e qeverisë, merr kompetencat e kryeministrit dhe presidentit. Komisioni i Venecias e ka thënë masat e pezullimit vlejnë për nëpunësit jo për anëtarët e qeverisë. Së fundmi pezullimi gjyqësor i ministrit është de facto presion për shkarkimin e tij. Në asnjë shtet evropian që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen bashkë në errësirë dhe të pezullojnë një ministër. Kjo që kanë bërë në Shqipëri, është një tentativë e padëgjuar, një ide e pazhvilluar më parë dhe një rrugë e paimagjinuar askund tjetër se mund të shkelet nga gjyqësori”, tha Rama.












