Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare në zonën e Saukut në Tiranë, ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se është shumë e rëndësishme kjo godinë pasi është me standarde dhe me siguri të lartë. Afati i përfundimit të kësaj godine është 18 muaj që përkon me muajin Maj të 2026-ës.
Edi Rama: “E rëndësishme për ne kjo godinë sepse është një godinë e standardeve të sigurisë së lartë, përveç aktivitetit në brendësi të saj. Së fundi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen. Është një agjenci kyçe përsa i përket përpjekjeve për të luftuar me evazionin dhe paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm, e shkëputur, por edhe afër qendrës”












