Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka reaguar për herë të parë në lidhje me skandalin tek Onkologjiku, ku mjekët kishin krijuar një skemë abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private.
Koçiu bëri me dije se të gjithë mjekët e përfshirë në këtë skemë janë shkarkuar, pasi ata nuk e meritojnë të mbajnë veshur bluzën e bardhë. Ministrja shtoi më tej se ndien neveri për situatën e krijuar në spitalin Onkologjik.
“Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, mbi të gjitha kur flasim për punonjës të sistemit të shëndetësisë, të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetës se njerëzve, ndihmën shëndetësore për ta. Është ngjarje e paprecedentë, jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndotin bluzat e bardha. Këta lloj personazh nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik“, tha Koçiu.












