Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar dje stërvitjen e radhës, duke u përgatitur intensivisht për ndeshjen e ditës së shtunë kundër Serbisë.
Rei Manaj është i vetmi që shqetëson Silvinjon. Sulmuesi mungoi ditën e martë për shkak të një gjendje gripale, ndërsa dje u stërvit i veçuar nga pjesa tjetër, me disa ushtrime shumë të lehta në palestër.
FORMACIONI – Në portë do të jetë Thomas Strakosha, i konfirmuar. Në mbrojtje ka vetëm një balotazh, ku Ismajli luan një vend me Ajetin dhe Kumbullën, ndërsa Balliu, Gjimshiti dhe Mitaj pritet të jenë nga fillimi. Në mesfushë mund të kemi surpriza, pasi në treshe mund të përfshihet edhe Nedim Bajrami në vendin e Qazim Laçit. Pastaj Asllani dhe Ramadani janë më të avantazhuar se Shehu, Pajaziti apo Berisha. Nëse Bajrami spostohet në qendër, Hoxha merr krahun dhe Asani pritet të rikthehet në krahun tjetër. Me Manajn i cili ka mbetur mbrapa me përgatitjet, Broja është më i avantazhuar për ta nisur nga fillimi në sulm.













