Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, morën pjesë në prezantimin e anketimit mbi perceptimin e qytetarëve për nivelin e sigurisë dhe besimin te Policia e Shtetit.
Rama njoftoi një projekt të ri për forcimin e sigurisë publike, përmes një sistemi modern survejimi me kamera në 20 qytete të vendit.
Ky sistem do të monitorohet në salla të dedikuara dhe do të fokusohet kryesisht te qarkullimi rrugor dhe identifikimi i shkelësve.
“Do të ketë survejnim me kamera të qyteteve me fokus qarkullimin rrugor dhe shkelësit. Një sistem i bazuar te fjala e fundit e sigurisë digjitale i pasuruar me inteligjencën artificiale që do të japë informacione në kohë reale përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem. Do fillohet me 20 qytete. Së shpejti do fillojë sistemi për rrugët kombëtare. Do japë mundësi që çdo ankesë e çdo qytetari të trajtohet në kohë reale. Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi, por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”, tha Rama.