Kryeministri Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe i është përgjigjur deputetit britanik Nigel Farage, pasi ky i fundit pretendoi më herët se e fitoi bastin për emigrantët.
Vetëm pak orë pas reagimit të Farage ku thoshte se 1 në 48 shqiptarë në Britani janë në burg, Rama thotë se “të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh në gabim, është djallëzore.
Rama thotë se nuk janë 53,000 shqiptarë sa pretendon ligjvënësi britanik, por shumëfishi i kësaj shifre.
“Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – që do të thotë se më pak se një në 100 janë në burg”, thotë Rama në përgjigje të deklaratës së deputetit britanik.
Rama ka edhe një përgjigje për deklaratën e Farage, se do t’i kërkonte Sekretarit të Brendshëm t’i përzërë shqiptarët e burgosur.
“Në vend që ta shqetësoni Sekretarin e Brendshëm, tashmë të zënë, ndoshta duhet të më njoftoni kur mund t’ju mirëpres në Tiranë, si mysafirin tim të nderit” shkruan Rama, ashtu sikurse e kishte premtuar se nëse shifra 1 në 50 shqiptarë janë në burg do ishte e gabuar, atëherë do e ftonte Farage në Tiranë, madje reagimin e shoqëron me një foto nga AI, buzë detit.












